Nga Lavdosh Ferrunaj
Vota e vlonjatëve në 2009, veçanërisht në qytet, ishte një përmbysje e vërtetë krahasuar me vitin 2005. Në asnjë vend tjetër të Shqipërisë nuk vihet re një përmbysje e tillë e rezultateve të votimit dhe zhvendosje masive të votave në krahë të kundërt në këto zgjedhje. Shpjegimi qëndron se Vlora, tashmë falë dhe dyndjeve të jashtëzakonshme drejt saj nga “grabitqarët”, ka krijuar “trupa mbrojtës” qytetarie.
Në vitin 2005, PD arriti në qytet të Vlorës të rrëmbejë votat e forta të mazhoritarit në masën 47.1% kundrejt 45.4% të PS. Nëse konsiderojmë dhe 7.4% të votave të marra nga LSI po në mazhoritar, votat e së cilës ishin më së shumti vota anti-Nano, mund të thuhet se rreth 55% e vlonjatëve dhanë një votë të qartë revolte ndaj PS dhe sidomos ndaj drejtuesit të saj, Fatos Nano. Shkak i fortë i kësaj revolte ishte plani i Nanos për ta kthyer gjirin e Vlorës në një gji nafte duke projektuar aty një sërë veprash energjitike me bazë nafte. Qytetarët e Vlorës patën një reagim të fortë nëpërmjet një sërë protestash kundër këtij projekti, deri në kërkesën zyrtare për referendum vendor, nëpërmjet 14 mijë firmave të qytetarëve. Më 3 korrik 2005, vullnetarët e Aleancës për Vlorën u kërkonin firma për referendum qytetarëve që i drejtoheshin qendrave të votimit, duke shfrytëzuar dhe rastin që ata kishin mundësi të ligjëronin firmën e tyre nëpërmjet pasaportës. Duke kuptuar sensibilitetin për çështjen e gjirit të Vlorës Berisha duket tërhoqi mjaft me retorikën e tij të ndërtimit të parqeve për fëmijët e qytetarët e Vlorës në vend të veprave të naftës. Në programin e qeverisë së re para parlamentit për marrjen e mandatit, Berisha vendosi referendumin e Vlorës si parakusht për ndërtimin e veprave energjitike atje. Në mënyrë krejt të pabesueshme për qytetarët e Vlorës, vetëm pak javë pas krijimit të qeverisë, Berisha urdhëroi të tijtë në KQZ në mënyrë krejt arbitrare e të paligjshme, madje antikushtetuese, për moslejimin e mbajtjes së referendumit në Vlorë. Ndërkohë e kopsiti me Bankën Botërore të vazhdonte projektet e Nanos me TEC-in, Petroliferën e AMBO-n. Duke parë Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës si rrezik serioz të planeve të tij, Berisha e sulmoi atë dhe ia doli të neutralizoj atë duke përdorur të gjitha mjetet, nga intimidimi deri te dhuna e hapur. Në vitin e fundit të mandatit të tij Berisha në mënyrë shumë më konspirative se edhe me rastin e TEC-it të Vlorës, për të cilën Konventa ndërkombëtare e Aahrusit vendosi ta klasifikojë punën e qeverisë si dështim të zbatimit prej saj në informimin e publikut e pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje lidhur me të, futi në axhendë të tij, jashtë edhe strategjive të formuluara po prej tij, programin diabolik për ta vënë gjirin e Vlorës në dispozicion të manjatëve italianë dhe multinacionaleve. Berisha tinëz në ditët e fundit të mandatit të tij miratoi vendime qeverie të kobshme për të ardhmen e Vlorës. Ai miratoi shpronësimin de fakto të pronarëve shekullorë të Karaburunit për t’ia transferuar gadishullin një kompanie italiane për të instaluar aty një monstër industriale pa kurrfarë përfitimi për vlonjatët e Shqiptarët. Ai shpalli fituesin e ndërtimit në qytetin e Vlorës të portit më të madh të kontejnerëve në Mesdhe, një injeksion ky me vdekje të ngadalshme për qytetin. Ai miratoi skuthazi dhënien e 472 ha të Vlorës si zonë e lirë për multinacionalen e zgjedhur prej tij. Nga ana tjetër, Berisha u përpoq në fushatë të luante fort me miliardat e eurove të investuara në Vlorë nga investitorët e huaj dhe që do të punësoheshin 50 mijë vetë, duke fshehur plotësisht përçudnimet që i sjellin qytetit këto vepra. Por ky skenar i Berishës së bashku me pabesinë e tij të shprehur hapur me TEC-in e Petroliferën çoi në përmbysjen e madhe më 28 qershor në Vlorë. Miliardat e miratuara nga qeveria e Berishës për parkun eolik të Karaburunit dhe portin më të madh në Mesdhe në Gji të Vlorës u refuzuan me një votë të tipit referendar. Kështu, duke ruajtur linjën e krahasimit me vitin 2005 e duke konsideruar vetëm PS, PD e LSI, si aktorët politikë kryesorë në çështjen e zhvillimit të Vlorës rezulton që në 2009 PD merr në qytetin e Vlorës vetëm 34% të votave, ndërsa PS me LSI, që u shprehën për të ardhmen e Vlorës si mbretëresha e turizmit në vend të mbretëreshës së investimeve të lançuar nga PD, morën 66% të votave. Kështu, PD realizoi në krahasim me 2005 një rënie drastike prej mbi 13%, ndërkohë kur vota u rrit në mënyrë spektakolare për PS e LSI së bashku me gati 20%.
Kjo votë kaq e ndryshme në Vlorë, dukshëm e papërsëritshme në ndonjë qytet tjetër të vendit, ashtu dhe në shkallë vendi, nuk mund veçse të lidhet me projektin famëkeq të Nano-Berishës për Vlorën, që e kanë parë dhe e shohin atë si një territor që duhet vënë në shërbim të pará-mëdhenjve të huaj, duke çuar kështu Vlorën dhe në një masë të madhe dhe gjithë vendin në drejtim të gabuar, por njëherazi duke degraduar mjedisin, si dhe pasurinë e krijuar nga vlonjatët në këto 20 vjet.
Përmbysja e madhe e votës në Vlorë mund të ketë dhe arsye të tjera, edhe pse logjika të bind se ndjeshmëria qytetare në Vlorë për të siguruar një perspektivë më të mirë të qytetit është tashmë, falë dhe lëvizjes qytetare 4-vjeçare të pashoqe të Vlorës, e një niveli të çdo qyteti evropian. Nga këto zgjedhje del një konkluzion fare i qartë. Berisha nuk mund të tentojë të dalë kundër vullnetit të një mazhorance superiore në Vlorë duke vazhduar të kërkojë instalimin e mega-projekteve të pompuara fort prej tij para dhe gjatë fushatës, projekte që tinëz në ditët e fushatës i vuri vulën VKM. Nëse ai insiston në projektet e tij diabolike, ka vetëm një valvul shpëtimi për të apo dhe për cilindo kryeministër të këtij vendi në të ardhmen, t’i hapë rrugën referendumit vendor.
13.07.2009
Artikulli eshte botuar tek Gazeta “Tema”






Comments